Komëbtarja shqiptare e futbollit U21 do të luajë vetëm ndeshje miqësore në dyvjeçarin e ardhshëm, pasi kuqezinjtë e vegjël janë të kualifikuar automatikisht në fazën finale të Europianit 2027 që zhvillohet në vendin tonë në bashkëpunim me Serbinë.

Kësisoj FSHF është vënë në lëvizje që të sigurojë miqësore për kuqezinjtë, të cilët duan të bëjnë një përfaqësim sa më dinjitoz në një aktivitet të tillë. Dhe kundërshtari i parë për skuadrën e drejtuar nga Alban Bushi është shumë prestigjioz, pasi bëhet fjalë për Gjermaninë, një nga ekipet më të forta në botë për këtë grupmoshë, siç është bërë e ditur nga FSHF

“Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21 në muajin shtator. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Gjermane të Futbollit që kjo ndeshje të luhet më datë 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. Orari i takimit do të përcaktohet në vijim.

Kjo ndeshje miqësore është një test i rëndësishëm për trajnerin Alban Bushi dhe stafin teknik, për të vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar dhe për të ndërtuar një grup sa më konkurrues në funksion të Europianit U-21 2027. Kombëtarja U-21 është e kualifikuar automatikisht në këtë turne madhor, pasi Shqipëria është përzgjedhur si një nga vendet mikpritëse të Kampionatit Europian U-21 2027”, shkruhet në njoftimin e FSHF për këtë miqësore.