Kampionati shqiptar do nisë aktivitetin e tij për sezonin 2024-25 në datën 18 gusht. Ku kanë ngelur vetëm 20 ditë nga nisja e edicionit, ekipet e elitës së futbollit tonë po zhvillojnë përgatitjet e çdo ditshme. Madje Egnatia dhe Partizani vijojnë edhe me ndeshjet europian në Conference League.
Megjithatë vihet re se në merkaton e kësaj vere në vendin tonë nuk është zhvilluar një merkato me emra të njohur. Ekipet janë përforcuar me elementë brenda kampionatit apo edhe rajonit. Madje edhe disa prej futbollistëve më të spikatur të Superiores në sezonet e fundit janë larguar. Por ajo që vihet re këtë edicion është mosha mesatare e skuadrave.
Ekipet e Superligës e kanë ulur moshën mesatare të kampionatit, duke treguar kështu që janë të përqendruar tek elementi i ri. Në këtë mënyrë ekipi me moshën mesatare më të re është Skënderbeu, me një mesatare prej 22.7 vjeç. Pas korçarëve vijnë Partizani dhe Bylis me një mesatare prej 23.1 vjeç, duke qenë në këtë mënyrë 3 ekipet me moshën mesatare më të re.
Pas 3-shes së parë vjen Vllaznia me një moshë mesatare prej 23.4 vjeç. Duhet theksuar se numri i futbollistëve të llogaritur për kuqeblutë për këtë mesatare është 29-të. Dhe nga 29 futbollistë të rozës kuqeblu vetëm 1 prej tyre është në moshën mbi 30 vjeç, ai është kapiteni Balaj me 33 vite. Pas sulmuesit, si dy më të “vjetrit” e ekipit janë Gurishta dhe Juric, secili nga 29 vjeç.
Endri ÇINARI