Nga Endri ÇINARI
Tek Vllaznia momentalisht përveç rezultatit 0-1 të ndeshjes së parë kundër Daugavpils, duket se shqetësojnë edhe lëndimet e futbollistëve. Në 90 minutat e para kundër letonezëve nuk zbritën në fushë Jazxhi dhe Mala për shkak të shqetësimeve fizike. Me të parin që nuk ishte as në stol në këtë duel e teksa prizrenasi me “sforco” u aktivizua në minutën e 73-të duke zëvendësuar Salen.
Por, u dallua qartazi që ish-futbollisti i Partizanit nuk ishte në formën më të mirë fizike. Pavarësisht se nga cilësitë që mbart, 26-vjeçari arriti të krijonte 2-3 raste me vertikalizimet e tij për shokët e skuadrës. Përveç kësaj dyshje, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe para ndeshjes, ishte edhe Ardit Krymi që shfaqi probleme fizike.
Me mesfushorin i cili kërkoi zëvendësimin në minutën e 60-të të takimit, pasi duke se nuk ishte në gjendje për të përballuar deri në fund. Dhe patjetër që trajneri Martini për të mos rrezikuar asgjë, e zëvendësoi 29-vjeçarin me Mensah më pas. Një “dhimbje koke” për Martinin dhe stafin e tij, që gjatë kësaj jave përveç ndeshjes së kthimit duhet të mendojë edhe për dëmtimet.
Ku janë 3 futbollistë kryesorë të skuadrës që ende nuk janë në 100% të formës së tyre fizike. Pavarësisht se shpresat janë të mëdha që të tre lojtarët të jenë në fushë në datën 17 korrik, kur do luhet edhe ndeshja e kthimit në Letoni përballë Daugavpils.(www.shkodrasport.com)