Nga Endri ÇINARI

Ekipi i Vllaznisë tashmë ka hyrë në javën e fundit të përgatitjeve para ndeshjeve të Conference League, ku shkodranët do jenë përballë Daugavpils të Letonisë në datat 10 dhe 17 korrik. Kështu kuqeblutë duket se tashmë kanë “vënë pikat mbi i” përsa i përket kolaudimit të formacionit dhe në duelin ndaj letonezëve pritet të ketë pak dyshime për ata që do zbresin në fushë nga minuta e parë.

Në portë duket se momentalisht ka më shumë konkurencë se në repartet e tjera. Ku si Qarri ashtu edhe Jukaj duken të barabartë në vlera dhe kanë po ashtu të njëjtin besim nga ana e stafit. Megjithatë duket se momentalisht është Qarri, portieri të cilit do i besohet katërkëndori në sfidat europiane. Në mbrojtjen me 3, tashmë treshja Jazxhi-Kuros dhe Bajrami duket se janë në “pole” për një fanellë titullari.

Dhe pavarësisht afrimit të Gjinit në javën e fundit, vështirë duket që shkodrani të jetë një titullar në Conference League. Teksa një opsion për mbrojtjen me 3 është edhe Gurishta, i cili do “lironte” djathtas pozicionin për Krujen e teksa në stol pastaj do përfundonte Bajrami. Në të majtë të mesfushës pritet Jago, me Hakajn i cili ende nuk është në formën e tij më optimale fizike. Teksa mesfusha po ashtu do kompletohej edhe nga 3 futbollistë si: Krymi, Qato dhe Mala.

Me këtë të fundit që do ketë një rol disi më të avancuar në fushë për të mbështetur dyshen sulmuese që pritet të formohet nga Balaj dhe Dodaj. E tashmë me largimin e Grudes duket se ka vend shumë pak për dyshime përsa i përket repartit të sulmit tek Vllaznia. Teksa shkodranët po përgatisin plot seriozitet duelin e parë kundër Daugavpils, ku objektivi ngelet kalimi i turit të parë në Conference League.(www.shkodrasport.com)