Nga Endri ÇINARI
Ashtu siç ishte Daugavpils, që ishte në aktivitetin e zakonshëm të kampionatit edhe kundërshtari i rradhës i Vllaznisë, Vikingur po zhvillon ndeshjet e sezonit 2025-26 në Islandë. Rivalët e së enjtes për Vllazninë kanë luajtur në fundjavë ndeshjet e javës së 15-të të elitës së futbollit islandez. Ku përballë kishin Valur, një tjetër njohje të shkodranëve që nga sezoni i kaluar në Conference League.
Kështu Vikingur u mposht në shtëpi nga Valur me rezultatin 1-2. Ku ishin miqtë që kalonin në avantazh me Skoglund, rrjetë që do arrihej dhe barazohej nga Agnarsson. E gjithçka do vendoste me golin e tij Pedersen në minutat e fundit të ndeshjes për t’i dhuruar 3 pikë shumë të rëndësishme ekipit të Valur. Ku me këtë fitore tashmë janë 3 ekipe në kuotën e 30 pikëve në Islandë pas zhvillimit të 15 javëve të kampionatit.
Me emra të njohur për skuadrat shqiptare si: Valur, Vikingur dhe Breidablik që duket se do luftojnë fort këtë edicion për titullin kampion në Islandë. Pas 15 javësh, Vikingur ka shënuar 27 gola në kampionat, duke pasur sulmin e dytë më të mirë në ligë. E ndërsa ka pësuar 16 të tillë, duke qenë po ashtu mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit. Statistika dhe shifra që patjetër nuk nënvlerësohen aspak nga Vllaznia, me shkodranët që do përpiqen të marrin masat në maksimum ndaj ishullorëve.
Dhe pse jo për të tentuar një kalim në turin e tretë të Conference League. Që do ishte historike për shkodranët, të cilët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë shkuar më larg se turi i dytë i kualifikueseve në kompeticionet europiane.(www.shkodrasport.com)