Cristiano Ronaldo vazhdon të shënojë me një ritëm që është i denjë për legjendën e tij. Me dy golat e fundit të shënuar në kampionatin saudit kundër Damac, 39-vjeçari portugez ka arritur në 915 gola në karrierë, duke synuar gjithnjë e më shumë shifrën e 1000 golave, të cilën mund ta arrijë nëse vazhdon të luajë edhe pas përfundimit të kontratës së tij me Al Nassr, që mbaron më 2025.

Ronaldo është tashmë ikonë edhe në botën arabe, jo vetëm për atë që bën në fushën e blertë. Është zbuluar se ish-lojtari i Juventusit dhe Real Madridit i fton shokët e tij të ekipit që nuk luten, t’iu bashkohen lutjeve të të tjerëve.

“Kur Cristiano sheh lojtarët që po luten dhe ndonjëri nuk e bën këtë, i thotë: Pse nuk lutesh? Lutu edhe ti me ta”, – ka treguar Walid Abdullah, portieri 38-vjeçar që ka luajtur për Al Nassr deri në verën e kaluar, i transferuar në korrik tek Al-Diriyah në ligën e dytë.

Abdullah është një figurë e njohur në futbollin saudit, sepse ka luajtur me kombëtaren për më shumë se një dekadë. Portieri ka luajtur për 7 vite me klubin e Riadit, duke ndarë dhomën e zhveshjes me CR7 gjatë një viti e gjysmë të fundit. Pra, ka pasur mundësinë të vlerësojë jo vetëm golashënuesin e jashtëzakonshëm portugez, por edhe njeriun që dëshiron të integrohet sa më mirë me shokët e tij të ekipit.

Lidhja e Ronaldos me fenë në botën arabe nuk është diçka e re. Gjesti i parë që ndokujt iu duk si një afrim me Islamin ndodhi në maj të vitit 2023, kur Cristiano u përkul pas shënimit të një goli të shkëlqyer, duke bërë “sujood” (sajdah), gjest me të cilin muslimanët përkulen thellë drejt Mekës, duke prekur tokën me ballin, hundën dhe duarët në pozicionin e kokës.

Një tjetër episod i ngjashëm ndodhi në tetor të vitit 2023, kur Ronaldo, para se të ekzekutonte një 11-metërsh në ndeshjen Portugali-Sllovaki, duket se tha dy herë, sipas lëvizjeve të buzëve, një thirrje që përdorin besimtarët myslimanë, e cila hap të gjithë kapitujt e Kuranit:

“Bismillah”, që do të thotë “në emër të Allahut”. Pavarësisht këtyre sugjerimeve, besimi i tij i krishterë, pas 5 “Topave të Artë”, duket se mbetet ende i pranishëm. Sa iu përket golave, llogaria e tij vazhdon të shtohet akoma, drejt ëndrrës së madhe….1000!