Mediat turke kanë raportuar së fundmi një lajm vërtet të bujshëm, në të cilin thuhet se Fenerbahce kërkon të bëjë një transferim vërtet të madh, ku synon të rikthejë brazilianin Neymar në Europë.
Aktualisht, Neymar luan për Santos, një klub me të cilin ai nënshkroi një kontratë deri në fund të vitit 2025. Megjithatë, marrëveshja përfshin një klauzolë që do të lejonte largimin e tij pa asnjë kosto nëse ai merr një propozim nga një ekip evropian i futbollit, siç raportohet nga media turke ‘Fanatik’.
Sipas raportimit në fjalë, Fenerbahce i ofron Neymar një kontratë 1-vjeçare me opsionin për të rinovuar edhe për një vit tjetër, plus edhe një rrogë të majme, por që ende nuk bëhet e ditur. Ardhja e yllit brazilian padyshim që do të froconte ekipin e drejtuar nga Jose Mourinho, por do të kishte edhe një ndikim të fuqishëm në aspektin e imazhit dhe marketingut të klubit turk.
Gjithsesi, zyrtarisht ende nuk kanë nisur bisedimet mes palëve, por në Turqi janë të emocionuar nga ideja që braziliani mund të bëhet pjesë e kampionatit të tyre në sezonin e ardhshëm. Kujtojmë që Fenerbahce do të luajë në play-off për të marrë pjesë në grupet e Champions League për sezonin e ri dhe pjesëmarrja në këtë kompeticion mund të jetë një shtysë shumë e madhe që Neymar të pranojë ofertën e Fenerbahce./telesport/