Nga Endri ÇINARI
Sezoni i Superiores do mbyllet ditën e hënë me finalen në orën 20:00, mes Egnatias dhe Vllaznisë. Dy skuadrat më të mira të sezonit të rregullt që u renditën në vendin e parë dhe të dytë pas 36 javësh, do “përplasin brirët” për herë të fundit këtë sezon. Ku me rivalitetin në distancë gjatë gjithë këtij sezoni, tashmë do vendosin gjithçka në një përballje direkte.
Por përballja e së hënës në “Arena Kombëtare” nuk është vetëm një duel mes dy skuadrave më të mira, por edhe mes dy trajnerëve Tetova dhe Brdariç. Të dy trajnerët kanë pasur sfida interesante gjatë sezoneve të fundit mes tyre dhe e tillë pritet të jetë edhe e rradhës. Pavarësisht tensionit dhe emocionit që mbart një finale e kampionatit, që patjetër nuk ngjan me ndeshjet e zakonshme, shkruan shkodrasport.com
Por të dy trajnerët që do jenë në finale, janë trajnerët më jetëgjatë në pankinat e Superiores. Si Tetova dhe Brdariç janë të vetmit që i kanë shpëtuar “fortunës” së ndërrimit të trajnerëve në futbollin shqiptar. Kjo pasi si Egnatia dhe Vllaznia janë dy skuadrat e vetme që po e mbyllin sezonin me trajnerin që e nisën atë. Madje trajnerët ishin pjesë e skuadrave respektive që nga edicioni i shkuar, ai 2023-24.
Ku 8 ekipet e tjera të Superiores e kanë ndërruar minimalisht një herë kreun e pankinës këtë edicion, Tetova dhe Brdariç janë të vetmit e “mbijetuar” mes kolegëve të tyre. Dhe nga sekonda e parë e kampionatit e deri në të fundit dy trajnerët do jenë në fushë. Ndoshta edhe për të përcaktuar më të mirin e Superiores mes njëri-tjetrit.(www.shkodrasport.com)