Niko Uilliams nënshkroi zyrtarisht kontratën e tij të re me Atletik Bilbaon, pasi për të dytin vit radhazi la “thatë” Barçën. Anësori i skuadrës baske bëri një “deklaratë dashurie” për klubin e tij dhe tha se ishte jashtë çdo mundësie largimi i tij nga skuadra, as tani dhe as në të ardhmen: “Doja të vazhdoja dhe të bëja histori këtu në San Mames. Me fansat e mi dhe familjen time. Ka objektiva ambiciozë në lojë, si Liga e Kampionëve.

Dhe çfarë mënyre më të mirë për ta bërë atë sesa në klubin e jetës sime. Së bashku me vëllain tim, i cili është shembull për të gjithë, sidomos për mua”, tha Niko.

Futbollisti përsëriti besimin e tij maksimal te vëllai i tij, si dhe sqaroi pse mori vendimin e tij për të rinovuar: “Ai është një referencë dhe do të jetë kapiteni i ri. Mezi pres ta shoh atë me shiritin në krah. Jam i bindur se ai do të bëjë shumë mirë”. Niko Uilliams falënderoi klubin dhe tifozët për besimin e tyre të plotë:

“Ky rinovim është edhe për ta. Shpresoj të përgjigjem në maksimum me gjithçka që më kanë dhënë dhe t’i bëj ata të kënaqen. Ata më kanë inkurajuar, duke marrë shumë dashuri kur eci nëpër rrugët e Bilbaos”, tha ai. Lojtari i Atletik ishte afër nënshkrimit për Barçën.

Agjenti i tij, Feliks Tainta, në qershor udhëtoi në Barcelonë për t’i thënë Barçës se ishte i hapur për të nënshkruar, por pas disa javësh negociata, filloi të kërkonte garanci të plota për t’u regjistruar në “La Liga” dhe në fund, u tërhoq dhe arriti një marrëveshje afatgjatë me Atletikon, duke e ngritur klauzolën e lirimit pothuajse në 100 milionë euro, çka tregon se ai do ta mbyllë karrierën në klubin bask.

Barça u mërzit që lojtari nuk i komunikoi klubit vendimin e tij të fundit. Ata praktikisht e morën vesh për rinovimin e tij kur do të shpallej zyrtarisht. Barça tashmë e ka harruar Nikon, por ata duan të nënshkruajnë me një anësor të nivelit të lartë, për të plotësuar projektin sportiv të këtij sezoni.