Nga Gjergj KOLA
Në futbollin italian ka një numër të madh sportistësh shqiptarë. Shumica e tyre kanë lindur në atë vend, por ka edhe të tjerë që kanë shkuar më vonë dhe tashmë janë ambientuar plotësisht. Ka njëkohësisht lojtarë të cilët fillojnë të spikasin që në moshë të vogël duke luajtur në Akademi e klube të njohura, por ka edhe të tjerë që ndoshta nuk e kanë këtë mundësi që në fillim.
Sot do të ndalemi tek njëri nga këta të fundit që për një arsye apo një tjetër, kanë hasur vështirësi në vitet e para të karrierës së tij, por me kalimin e viteve, ka spikatur me talentin e tij dhe si rrjedhojë tashmë po i hapen dyer të reja. Ai është Nikola Shllaku.
Ai ka lindur në Itali më 27 shkurt 2008 në Itali, nga dy prindër nga Shkodra të cilët që në moshë të vogël i injektojnë dashurinë për sportin e futbollit dhe si rrjedhojë Nikola rregjistrohet në ekipet e zonës së Pistojës, vend ku dhe jetonin. Luan me shumë pasion dhe fillon të shfaqë të dhënat e para të tij, çka bën që trajnerë e drejtues të ekipeve më të mira të kësaj zone të kërkojnë ta bëjnë pjesë të tyre.
Dhe vitet kalojnë teksa në këto të fundit ka luajtur me Via Nova dhe më pas me “Tau Calcio Pistoiese” ku ka rënë në sy për mirë nisur nga lojërat e zhvilluara. Nikola luan si mesfushor dhe si rrjedhojë e këtyre paraqitjeve, ka bërë që drejtuesit e ekipit Pontedera ta bindin që të firmosë për ta. Kujtojmë që Pontedera është një ekip profesionist dhe kjo do të thotë se 17 vjeçari me origjinë nga Shkodra ka hedhur në hap shumë të rëndësishëm në karrierën e tij.
Duhet thënë se Nikola Shllaku do të jetë në muajin qershor në Tiranë për të marrë pjesë bashkë me ekipin e tij të ri në turneun “Eagle Cup” dhe në këtë prezantim të tij të parë me skuadrën e Pontederës, padyshim që do të tentojë menjëherë të tregojë aftësitë e tij, aq më tepër kur turneu në fjalë zhvillohet në Shqipërinë e tij.
Specialistët e futbollit italian vlerësojnë tek ky futbollist fantazinë e tij në repartin e mesfushës dhe padyshim që do të jetë një element i rëndësishëm për ekipin e Pontederas dhe pse jo, në një të ardhme të afërt edhe për ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë.(www.shkodrasport.com)