Burreli u ka dhënë fund dje pushimeve, pasi skuadra matjane ka zbritur në fushë, duke nisur përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë.

Matjanët janë grumbulluar gjatë pasdites së djeshme në fushën e stadiumit “Liri Ballabani”, ku si fillim drejtuesit kanë prezantuar para ekipit trajnerin Samuel Nikaj, i cili merr drejtimin e Burrelit pas largimit të Ditmar Bicajt.

Trajneri shkodran është prezantuar nga administratori i klubit, Marjan Lleshaj, si dhe drejtori sportiv, Klevis Gjoka. Më pas, skuadra matjane ka nisur përgatitjet, sigurisht me grup jo të plotë, pasi në ditët në vijim pritet të konkretizohen edhe afrime e duhura. Pas prezantimit si trajner i Burrelit, Samuel Nikaj shkurtimisht është shprehur për mediat lokale:

“Nga sot fillon puna për një tjetër mision të vështirë, që të mbajmë Burrelin përsëri në nivele të larta, pas sezonit fantastik që zhvilluan. Falënderoj pafundësisht drejtuesit të cilët me besuan këtë projekt, dhe me ndihmën e Zotit nuk do t’i zhgënjej ato, dhe as tifozët e zjarrtë që janë të mrekullueshëm”.