Nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se do jetë një ekip i bazuar tek “vendalinjtë” në sezonin që po vjen dalëngadalë. Pavarësisht se emra të shumtë kanë qarkulluar se mund të afrohen në drejtim të kuqebluve, deri më tani i vetmi i zyrtarizuar është Arsid Kruja, një “djalë i shtëpisë”.

Afrimi ose më saktë rikthimi i 31-vjeçarit në skuadër kompleton një ekip me 11 shkodranë tek skuadra. Një formacion i bazuar i gjithi nga futbollistë shkodranë dhe të dalë nga akademia kuqeblu.

“Shkodra Sport” ka hartuar një 11-she hipotetike se si do mund të rreshtoheshin kuqeblutë në rast se do hidhnin në fushë vetëm lojtarë nga Shkodra. Kështu në portë do kishte një konkurencë mes Qarrit dhe Jukajt.

Mbrojtja do formohej nga tre futbollistë, me Gurishten, Pusin dhe Repajn. Në mesfushë nga krahët do ndihmonin Kruja dhe Delaj e ndërsa në qendër të këtij reparti do ishin dyshja Krymi-Sala. Sulmi do ishte thuajse i “ngjashëm” me edicionin 2024-25 ku treshen e repartit të avancuar do e përbënin Gruda, Balaj dhe Dodaj.

Një formacion patjetër hipotetik, por edhe që mund të hidhet në fushë në një moment të caktuar gjatë sezonit, pavarësisht se tek Vllaznia duan ta përforcojnë ekipin me futbollistë të tjerë qoftë shkodranë apo edhe jabanxhinj.

Formacioni me shkodranë:

Qarri (Jukaj)

Gurishta-Pusi-Repaj

Kruja-Sala-Krymi-Delaj

Gruda-Balaj-Dodaj