Silvester Shkalla nuk është më një futbollist i klubit të Burrelit. Mbrojtësi i cili ka luajtur për shumë vite në elitën e futbollit shqiptar, i ka dhënë lamtumirën ekipit të Kategorisë së Parë ku ishte kthyer në një lider në vitin e kaluar duke e ndihmuar të arrinte deri në play-off për ngjitjen në Superiore. Një mungesë kjo e rëndësishme dhe si rrjedhojë trajneri Samuel Nikaj tashmë duhet t’i bëjë planet pa të.
“Silvester Shkalla mbyll aventurën me Burrelin. Pas një sezoni të kaluar me ekipin tonë, Silvester Shkalla largohet nga KF Burreli. Një lojtar që gjithmonë dha maksimumin në fushë, i përkushtuar dhe i gatshëm të luftonte për ngjyrat tona në çdo ndeshje.
E falënderojmë për kontributin dhe për lojën me zemër, duke i uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij!”, shkruhej në njoftimin e klubit.
E ardhmja e Shkallës duket se është larg Shqipërisë. Mësohet se futbollisti ka një akord me klubin FC Kosova në Gjermani. Skuadra e kategorisë së gjashtë gjermane, e cila drejtohet nga një emër i njohur për futbollin shqiptar si Enkel Alikaj, duket se e ka përfshirë mbrojtësin me eksperiencë mes përforcimeve për edicionin e ri.