Nga Endri ÇINARI
Ishte me të vërtetë një surprizë në formacionin titullar të Vllaznisë kundër Egnatias dhe rezultoi një lëvizje e “qëlluar” nga ana e Martinit. Fjala është për Edon Muratajn, i cili ndaj rrogozhinasve zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare me fanellën kuqeblu. Ku la mbresat e para tek tifozët shkodranë, të cilët e duartrokitën performancën e tij në kor në momentin kur 23-vjeçari la fushën për Kastratin në minutën e 58-të.
Murataj ishte një shqetësim më vete për mbrojtjen e Egnatias, që duhet të përballonte shpejtësinë dhe fantazinë e futbollistit me pasaportë belge. I cili po ashtu ishte edhe protagonist duke fituar një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë, 11-metërsh i cili u humb nga Balaj. Që po të shënohej patjetër do rriste edhe vlerat e ish-mesfushorit të Lafnitz në fund të 90 minutave ndaj rrogozhinasve.
Për mesfushorët e tjerë kuqeblu, Murataj do jetë një “rival” i fortë për një vend titullari në formacion. Pavarësisht se në fillim nuk konsiderohej si një titullar, me performancat e në ndeshjet miqësore, por edhe tashmë në Superiore kundër Egnatias,
Murataj ka treguar vlerat e tij. Vlera që patjetër mund t’i garantojnë atij sërish vendin e titullarit në ndeshjet e ardhshme dhe patjetër që kënaqin edhe stafin teknik të Vllaznisë, që tek numri “11-të” i skuadrës nuk shohin thjesht një alternativë.(www.shkodrasport.com)