Të gjithë e kërkonin pas mbylljes së kampionatit që shkoi, ku ai spikati me fanellën e Kukësit, por askush nuk e ka marrë deri tani. Sepse nuk është, lojtari ka kontratë me klubin kuksian dhe kushdo që dëshiron ta ketë duhet të paguajë.
Mustafa Salami është ende një lojtar i skuadrës që ra në Kategorinë e Parë dhe gjasat janë shumë të mëdha që sulmuesi anësor të mos luajë në këtë nivel. Ai pritet të mbetet pjesë e Superiores dhe pas Partizanit, që shfaqi interes më parë, në skenë duket se ka dalë edhe klubi tjetër kryeqytetas, Dinamo.
Klubi i Kukësit, që e ka nën kontratë këtë futbollist, kishte pretendime të mëdha financiare për 22-vjeçarin, autor i 5 golave sezonin e fundit, por ka kaluar jo pak kohë dhe ende nuk ka një marrëveshje për skuadrën e re të Salamit.
Kjo situatë ndoshta e ka bërë Kukësin që ta ulë pak çmimin dhe në këtë rast mund të përfitojë Dinamo, por nuk mund të thuhet se nigeriani do të jetë lojtar i “Nëndetëses”, sepse në merkato çdo gjë mund të ndodhë. Lojtari është në radarët blu dhe tani mbetet të shihet, nëse do të ketë një marrëveshje mes tri palëve: Kukësit, Dinamos dhe vetë futbollistit.