Nga Maringlen ZHIVANI
Skuadra e Elbasanit do të pësojë disa ndryshime në sezonin e ardhshëm në radhët e saj, teksa kërkohen emra të rinj dhe alternativa që verdheblutë shpresojnë t’i shtyjnë drejt kualifikimit në Europë që është objektivi i ri.
Në këto ditë kanë filluar largimet e disa futbollistëve që nuk do jenë pjesë e projektit dhe sot ka qenë një tjetër, i cili u ka dhënë lamtumirën verdhebluve. Edon Hasani, mesfushori shkodrani i cili ka qenë pjesë e grupit që u ngjit në Superiore nga e Para dhe ishte pjesë e tij edhe në edicionin aktual në elitë, i ka dhënë lamtumirën skuadrës, ku disa herë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Hasani i ka dhënë lamtumirën klubit verdheblu me një postim në rrjetet sociale, duke konfirmuar mbylljen e bashkëpunimit. “Kjo fanellë ka qenë pjesë e përpjekjes time për të dhënë më të mirën. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por çdo ditë kam qenë aty për të luftuar me ndershmëri, përulësi dhe pa bërë zhurmë.
Faleminderit nga i pari deri te i fundit që ishin pjesë e kësaj periudhe. Një falënderim i veçantë për tifozët e Elbasanit për mbështetjen”, shkruante mesfushori 33-vjeçar në postimin e tij.(www.shkodrasport.com)