Pavarësisht temperaturave të larta të këtyre ditëve, futbollisti shkodran Flori Spahija vijon të stërvitet me intesitet në pritje të firmës me ekipin e tij të ri. 22 vjeçari është spostuar në kryeqytet, aty ku vijon të stërvitet fort çdo ditë nën kujdesin e trajnerit atletik Roland Peqini dhe forma e tij duket shumë e mirë.
Por ndërkohë që prej largimit të tij nga Vllaznia në fundin e sezonit të kaluar, Spahija ka qenë në qendër të merkatos dhe janë disa ekipe të Superiores që kanë shfaqur interes për të. Këtu përfshihen dy prej ekipeve të kryeqytetit, por jo vetëm ata.
Gjithashtu edhe nga Superliga e Kosovës ka patur kontakte dhe oferta konkrete, por lojtari ka qenë i vendosur për të pritur deri në fund ndonjë opsion nga ekipe jashtë vendit. Dhe në fakt gjërat duket se janë shumë pranë konkretizimit dhe hedhjes së firmës në kontratë.
Nuk bëhen të ditur detajet e tjera, por brenda pak ditësh me shumë siguri do të mësohet edhe destinacioni i ardhshëm i tij. Spahija është një futbollist mëngjerash që luan si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë të këtij reparti. Karakteristika këto që janë të kërkuara në futbollin e sotëm modern dhe si rrjedhojë edhe ofertat nuk i kanë munguar.(www.shkodrasport.com)