Ervin Baku, gazetar sportiv në Radio Tirana 1, parashikon një kampionat të fortë këtë sezon. Në studion e MCN Informacion, ai tha se pret përballje plot emocion, ndërsa veçoi Dinamon, Elbasanin dhe Vllazninë si dy skuadrat më të spikatura.
“Një kampionat i fortë. Ka investime nga të gjitha skuadrat, nga Flamurtari, Dinamo, Teuta, Egnatia, janë dy javët e para. Të gjitha skuadrat kanë luajtur nga dy takime. E shikoj si kampionat të fortë dhe çdo javë do të ketë ndeshje të tilla.
Pashë një Elbasan shumë të bukur. E fus Elbasanin te ato 4-5 skuadra pretendente për Final 4, duke pasur parasysh se ka edhe një nga trajnerët më të mirë.
Me kaq sa kam parë, duke parë një Dinamo solide në kupat e Europës me një dozë vetëbesimi, e shikoj atë si pretendente. Kam parë një Vorë shumë të bukur që prodhon futboll të mirë, kam parë Vllazninë që edhe pse u mund 3-1 u kujtua shumë vonë për të hyrë në lojë.
Deri tani shikoj Dinamon, Elbasanin dhe Vllazninë. Por është shumë herët për të dhënë konkluzione. Është e sigurt se do të jenë pesë skuadra për katër vende”- është shprehur Baku.