Klubi I Skënderbeut tashmë nuk është më i vetëm në dënimin më afatgjatë të historisë së futbollit botëror për trukime ndeshjesh.

UEFA ka bërë të ditur sot se ka përjashtuar për 10 vite nga kompeticionet e saj edhe klubin malazez të Arsenal Tivat për trukime në kompeticionet ndërkombëtare, ndërsa ka marrë masa edhe ndaj drejtuesve e futbollistëve të përfshirë.

Ndeshjet në fjalë për të cilat akuzohej Arsenal Tivat ishin ato të raundit kualifikues të Ligës së Konferencës në korrik 2023 kundër Alashkertit. Arsenal Tivat barazoi ndeshjen e parë 1-1 në Armeni dhe më pas humbi 6-1 në shtëpi në ndeshjen e kthimit, në një duel ku pësoi dy gola në minutat shtesë në fund të ndeshjes.

UEFA nuk dha detaje mbi mënyrën e trukimit të ndeshjes apo shifrave të përfshira. Por ajo qartësoi se klubi në fjalë përjashtohej deri pas edicionit 2034-35, teksa do të paguante dhe një gjobë prej 500 mijë eurosh.

Drejtori sportiv Ranko Krgoviç dhe lojtari Nikola Çelebiç u pezulluan përjetë, ndërsa tre lojtarë të tjerë u pezulluan për 10 vjet: Cetko Manojloviç, Dushan Puletiç dhe Radule Zivkoviç.

Gjithashtu janë pezulluar dy zyrtarë nga klubi serb Radniçki Obrenovac: Milan Vignjeviç për 10 vjet dhe Goran Janjusheviç për gjashtë vjet. Një person tjetër, Kristos Psomiadis, u pezullua për tetë vjet.