Nga Endri Çinari
Në ndeshjen kundër Egnatias ishin disa futbollistë që nuk u aktivizuan në rolet e tyre “natyrale”. Duke u përshtatur kështu sipas nevojave të skuadrës dhe ideve që ka trajneri Martini për skuadrën. Kështu duke nisur nga zëvendës kapiteni, Erdenis Gurishta i cili njihet si një mbrojtës tipik i krahut të djathtë. Por, që me Martinin që aplikon skemën 3-5-2, 30-vjeçari preferohet më shumë në mbrojtjen me 3, si qëndror.
Rol të cilin Gurishta e ka mbuluar plot siguri dhe personalitet, duke krijuar një treshe solide me Gjinin dhe Kuros në prapavijë. Një tjetër futbollist i cili ishte disi jashtë rolit të tij ishte edhe Edon Murataj. 23-vjeçari njihet si një mesfushor pas sulmuesve, por në ndeshjen me Egnatian u aktivizua në dyshen e sulmit me Balajn. E shpesh herë duke u hapur edhe në krahë, madje duke dhuruar një performancë për t’u duartrokitur.
Polivalencë po ashtu në skuadër vijon të tregojë edhe Esat Mala, i cili po aktivizohet më shumë në mesfushë këtë periudhë se sa në krahun e djathtë.
Teksa tek kuqeblutë edhe emra si Jago, Kuros, Kastrati apo Kallaku mund të mbulojnë role të ndryshme në fushë. Duke krijuar opsione dhe mundësi të shumta për skuadrën dhe Martinin. Me teknikun 50-vjeçar që mund të bazohet gjithmonë tek cilësitë dhe eksperienca e futbollistëve të tij në fushën e blertë.