Nga Maringlen ZHIVANI
Skuadra e Burrelit vijon përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Matjanët po i zhvillojnë seancat stërvitore në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” nën drejtimin e trajnerit Samuel Nikaj, i cili ka marrë drejtimin e Burrelit pas largimit të Ditmar Bicajt.
Trajneri shkodran, së bashku me administratorin e klubit, Marjan Lleshaj, si edhe drejtorin sportiv, Klevis Gjoka po punojnë çdo ditë për të konkretizuar edhe afrimet e duhura. Ndërkohë, trajneri i Burrelit, Nikaj në një prononcim për “Shkodra Sport”, u shpreh se skuadra matjane do të jetë përsëri në nivele të larta.
“Këtu ndihem si në shtëpinë time. Është përgjegjësi e madhe të drejtosh Burrelin pas sezonit që bëri. Gjithsesi, kemi filluar punën për të realizuar një mision të vështirë. Synimi ynë është që të mbajmë Burrelin përsëri në nivele të larta, pas sezonit fantastik që zhvilluan. Burreli surprizoi komplet opinionin, sepse ishte me plot meritë në vendin e katërt.
Ne shpresojmë që ne të vazhdojmë me të njëjtën politikë siç ka qenë edhe vjet, me futbollistë të rinj që duan të afirmohen dhe t’u marrim maksimumin atyre.
Normalisht, presioni nuk është shumë i madh, sepse dihet që objektivi është të jemi sa më lart. Me ndihmën e Zotit, nuk do i zhgënjej as drejtuesit dhe as tifozët e zjarrtë që janë të mrekullueshëm”,-tha për “Shkodra Sport”, trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj.(www.shkodrasport.com)