Lufta për lidershipin te Dortmund ka përfunduar në paqe, pasi presidenti Reinhold Lunou dha dorëheqjen, duke i hapur rrugën drejtorit ekzekutiv Hans-Joakim Vacke.
Presidenti aktual i Dortmundit, Lunou, njoftoi se nuk do të kandidojë për rizgjedhje, duke i dhënë fund praktikisht përplasjes për pushtet në krye të hierarkisë së klubit. Ky vendim u bë i ditur përmes një deklarate të klubit dhe i hap rrugën një tranzicioni të qetë të pushtetit. Vacke, i cili do të largohet nga roli i tij operativ në fund të vitit, tani pritet të zgjidhet si president i ri. Ky zhvillim i jep fund shpejt një konflikti që kishte shpërthyer prej javësh, pasi fillimisht Lunou kishte planifikuar të kandidonte kundër Vacke.
Lunou, në një deklaratë zyrtare për mediat e klubit, tha: “Gjatë javëve të fundit, unë dhe ekipi im kemi punuar intensivisht për të siguruar zhvillimin e vazhdueshëm të Borusia Dortmundit në interes të anëtarëve të saj. Pjesëmarrja aktive e anëtarëve, marrja në konsideratë e interesave të tifozëve dhe respektimi i rreptë i kodit të vlerave të BVB-së ishin veçanërisht të rëndësishme për mua. Dortmund nuk duhet të humbasë identitetin e saj në kohë ndryshimesh. Kjo përfshin ruajtjen e vlerave dhe traditave tona, si dhe solidaritetin e pakushtëzuar brenda familjes së Borusias.”
Ai shtoi më tej: “Për të siguruar këto objektiva, fillimisht ndjeva se ishte e nevojshme të kandidonim për rizgjedhje. Në diskutime të detajuara me Hans-Joakim Vacke, i cili ka shprehur interes për presidencën, mora premtimin e tij se ai do t’i merrte parasysh pikat e mësipërme nëse do të zgjidhej president i klubit. Në bazë të këtij zotimi, ndihem i sigurt se shqetësimet e mia do të adresohen dhe mund të dorëzoj detyrat e mia me ndërgjegje të qetë. I uroj Komitetit Ekzekutiv të ri të BVB-së çdo sukses në të ardhmen.”
Me zgjidhjen e betejave të brendshme për lidership, Dortmundi mund të fokusohet plotësisht te objektivat në fushë. Rruga është e hapur që Vacke të zgjidhet zyrtarisht president në nëntor, ku ai do të ketë për detyrë të drejtojë klubin drejt një epoke të re.