Sinan Idrizi duket se ndërtimin e skuadrës së Superiores po e nis nga struktura e klubit. Administratori i vlonjatëve premton një Flamurtar cilësor, që do të luftojë për të dy trofetë: titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se nuk do të jetë një skuadër kalimtare apo për të qëndruar në elitë.
Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport“, Sinan Idrizi thekson se ky ekip do të rrisë cilësinë e Superiores. Kreu i klubit premton një skuadër që do të risjellë emocionet, që i kanë munguar Vlorës në këto vite. “Kemi nisur punën duke piketuar strukturën e ekipit të ri të Flamurtarit.
Ky do të jetë një ekip që do të rrisë cilësinë dhe kualitetin e Superiores dhe për këtë duhet të jeni të sigurt. Flamurtari në Superiore do të konkurrojë për të dy trofete në maksimum. Do të jetë një ekip që do të risjellë emocionin e humbur prej kaq vitesh në Vlorë. Ne jemi duke ndërtuar strukturën e klubit, si fillim. Paralelisht me të gjitha këto. Më thonë, mos jeni të vonuar, jo. Ne kemi piketimet tona. Kemi njerëzit tanë dhe jemi duke ndërtuar diçka tjetër tani”, shprehet fillimisht Idrizi për gazetën.
RIKONFIRMIMI
Sinan Idrizi flet edhe për futbollistët që mund të rikonfirmohen nga grupi që mbylli sezonin në Vlorë. Administratori thekson se kjo gjë i përket stafit teknik, teksa zbulon se u ka thënë të mos e kursejnë. Por ka ehe një mesazh se Flamurtari nuk do të bëhet bankomat i prishur. “Kush konfirmohet nga ekipi ekzistent? Këto janë pyetje që i takojnë stafit teknik. Unë thjesht do të garantoj anën financiare. Ju kam thënë vetëm kaq: nuk dua të më kurseni në asnjë lloj drejtimi për ndërtimin e Flamurtarit të Superiores. Kjo nuk do të thotë, që në Vlorë është bërë ai bankomati i prishur që nuk dimë çfarë të bëjmë, apo nuk dimë ku t’i harxhojmë paratë”, shprehet në vazhdim administratori Idrizi.
BUXHETI
Sinan Idrizi premton se buxhetin të më të madh në historinë e Superiores këtë sezon do ta ketë Flamurtari. “Po e përsëris që këtë vit ne do të kemi buxhetin më të lartë në historinë e Superiores në Shqipëri. Pyetje aritmetike mua mos më bëni, sepse unë nuk di aritmetikë. Kur kam thënë një herë që unë nuk di aritmetikë, qejflinjtë e jetës thanë një gjë shumë të bukur: ‘Ky pronari i kompanisë, ky miku i Ramës që nuk di aritmetikë’. (U referohet këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak). Unë realisht nuk di aritmetikë, por duhet të kuptoni një gjë kur pyesni për shifrat. Është tjetër gjë matematika, më pyesni për matematikën”, përfundon Idrizi.
5 sezone mbylli Flamurtari larg Superiores. Për herë të fundit, vlonjatët kanë milituar në elitë në sezonin 2019-2020. Edicioni i ri i gjen vlonjatët në Superligë dhe me objektiva madhorë.