Nga Endri ÇINARI

Tifozët e Vllaznisë pritet të jenë një “armë” plus për skuadrën në ndeshjen gjysmëfinale kundër Dinamos. Sipas asaj që është bërë e ditur prej disa ditësh në media, klubi shkodran ka vënë nën dispozicon 10 autobusë për mbështetësit e kuqebluve.

Në mënyrë që të jenë sa më afër ekipit në pikën kulminante të sezonit. Megjithatë interesimi i tifozëve shkodranë duket se është edhe më i madh seç ishte parashikuar.

Në “Arena Kombëtare” ditën e dielë pritet një numër prej 6000 deri në 7000 tifozësh që do jenë në mbështetje të Vllaznisë. Tifozë që nuk do vijnë vetëm nga Shkodra, por edhe nga diaspora sipas asaj çfarë mëson gazeta. Shkodranë që jetojnë jashtë vendit dhe konkretisht në vende si: Anglia, Gjermania, Itali dhe Franca do udhëtojnë nga vendet ku jetojnë e punojnë për të ndjekur Vllazninë në Tiranë.

Një interesim i jashtëzakonshëm i tifozerisë kuqeblu, që është një nga më të “zjarrtat” në vend. Dhe ku patjetër dëshira për të shikuar ekipin e zemrës kampion është shumë e madhe. Duke qenë se titulli në Shkodër mungon prej 24 vitesh, konkretisht që nga sezoni 2000-01 ku shkodranët triumfonin për herë të fundit.