Pas nënshkrimeve të Trent, Karreras, Huijsen dhe Mastantuono, Real Madrid e konsideron afatin e transferimeve praktikisht të mbyllur, në pritje të largimeve të mundshme si ato të Alaba dhe Rodrigo.

Qëllimi i tyre përfundimtar është të gjejnë një mesfushor cilësor që mund të zëvendësojë idealisht Toni Kros. Emri i Rodrit është rikthyer në skenë javët e fundit.

Real Madridi ka kapacitetin financiar për të bërë një tjetër nënshkrim të madh dhe mund të kthehet në treg edhe më shumë nëse largimi i Rodrigos do të materializohej, gjë që mund t’i sillte një tarifë midis 80 dhe 100 milionë eurove. Ideja është të nënshkruajë një lojtar të vendosur me përvojë dhe personalitet, të aftë të mbushë boshllëkun e lënë nga gjermani. Ndër emrat më të diskutuar, raporton AS, janë Nikolo Barela (Inter), Enco Fernandez (Çelsi) dhe Aleksis MekAlister (Liverpul), të gjithë lojtarë kyç për ekipet e tyre përkatëse dhe me kontrata afatgjata, duke e bërë largimin e tyre shumë të komplikuar (dhe marrëveshjen të shtrenjtë).

Ndërkohë, Real Madridi po e monitoron nga afër situatën e Rodrit, i cili është rikthyer në aksion pas një dëmtimi afatgjatë në gju. Kontrata e tij me Mançester Sitin skadon në vitin 2027, por ai nuk e ka rinovuar ende, duke e bërë atë një objektiv tërheqës për të ardhmen.