Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi sot projektin për ndërtimin e stadiumit të ri “Skënderbeu” dhe zhvillimin e gjithë zonës sportive përreth. Vendimi ka ngjallur diskutime të forta në opinionin publik dhe qarqet politike të qytetit, për shkak të mënyrës së miratimit dhe pasojave që pritet të sjellë.
Projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi të ri modern, si dhe rikonstruksionin e pallatit të sportit dhe pishinave. Ndërtimi i stadiumit do të realizohet përmes bashkëpunimit me një investitor strategjik, i cili do të financojë punimet në këmbim të së drejtës për të zhvilluar objekte tregtare — hotele, restorante, zyra — në truallin rreth stadiumit.
Pallati i sportit është tashmë në proces tenderimi, me një financim prej 250 milion lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 38 milion lekë nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia Korçë. Për ndërtimin e stadiumit, ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka siguruar fonde, çka ka shtyrë bashkinë të kërkojë ndihmën e Korporatës Shqiptare të Investimeve për të gjetur investitorin privat.
Por nje vendim i tille ka gjetur reagimin e disa prej keshilltareve te Bashkise Korçe te cilet e kane konsideruar shume te rende projektin e ri teksa kane evidentuar edhe disa nga problematikat e projektit, duke përmendur mungesën e një konsultimi të gjerë me qytetarët, humbjen e pistës olimpike të atletikës në projektin aktual, shkatërrimin e lulishteve publike që ndodhen në zonë dhe rrezikun e shpronësimeve të pronarëve të truajve rreth stadiumit pa një proces të drejtë dhe transparent.
Pavarësisht kritikave, projekti u miratua nga shumica e Këshillit Bashkiak dhe pritet të nisë së shpejti me rikonstruksionin e pallatit të sportit, ndërsa për pjesën e stadiumit do të pritet finalizimi i marrëveshjes me investitorin strategjik.