Prokuroria e Vlorës bllokon projektin “Vlora Sport”, që do të zbatohej në Pyllin e Sodës.

Në fakt, kjo u bë publike edhe nga gazeta “Panorama Sport” që në fillim, por dje është pohuar edhe nga goja e kryeministrit Edi Rama. Teksa po kthehej nga disa takime të zhvilluara në Vlorë, Rama foli edhe për këtë problematikë, që vjen për shkak të sekuestros për falsifikim prone në pronat shtetërore.

“Duke qenë se kthehem nga Vlora, ku vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë në qytetin e Vlorës dhe qarkun me 9 deputetë, ju jap një tjetër fakt se si na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin ‘Vlora Sport’ te Pylli i Sodës në truall shtetëror. Kjo, për shkak se një prokuror tjetër ka vënë në sekuestro për falsifikim prone në pronat shtetërore përkatëse, por sekuestroja zgjat prej vitesh të tëra dhe të tilla ka plot”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Pak ditë më parë, për këtë çështje foli për gazetën edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. “Jam duke vënë piketimet te Flamurtari. Problemi ynë është ai që ne kemi me fushat te Pylli i Sodës, ku kërkoj ndihmën e këshilltarëve bashkiakë dhe të pushtetarëve të Vlorës, të më japin shansin që të investoj.

U bëj thirrje këshilltarëve bashkiakë, që të informohen si vula e qytetit të Vlorës dhe të dinë që në atë zonë një numër i madh i pronave janë të bllokuara nga prokuroria. Unë dua që të investoj dhe nuk po investoj dot. Unë dua ndihmën realiste të tyre që në të fillojmë sa më shpejt projektin që kam 12 vjet që po e them dhe që është Akademia ‘Flamurtari’. Ju them, ju lutem më ndihmoni që unë të investoj. Kemi 12 vite që presim te Pylli i Sodës dhe nuk na vënë në dispozicion terrenet për të investuar për sportin”, u shpreh Idrizi para disa ditësh për “Panorama Sport” në lidhje me këtë problematikë.