Nga Endri ÇINARI

Një nga futbollistët e akademisë Vllaznia që tashmë do jetë pjesë e ekipit të parë në sezonin e ri është edhe Aris Ara. Sulmuesi tekni ka folur për “Shkodra Sport” për kontratën dhe mundësinë që do ketë në skuadrën kuqeblu. 19-vjeçari shprehet shumë i lumtur dhe ka një dedikim për këtë arritje. Teksa e cilëson një nder që do drejtohet nga një emër i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar si Edi Martini.

Ara u shpreh duke thënë: “Mund të jetë vetëm lëvizja e parë drejt futbolli profesionist, por unë tani jam në “qiellin e shtatë”. Tashmë do jem pjesë e ekipit të parë dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme, por edhe përgjegjësi shumë më e madhe. Sepse duhet të stërvitem çdo ditë fortë dhe të përmirësohem nga dita në ditë së bashku me skuadrën.

Dedikim? Do thoja familjen time sepse gjithmonë më kanë mbështetur shumë. Por edhe të gjithë tek Vllaznia që besuan tek unë. Uroj që me punën time të arrij t’i shpërblej të gjithë që kanë besim tek unë.

Trajneri Martini? Më uroi jo vetëm mua, por edhe Kubazin e Hajdarin për kontratat. Është një nder dhe kënaqësi për mua që do drejtohem nga një emër i madh si ai. Besoj se do arrij shumë të mësoj nga eksperienca e profesorit.

Mund të them që është një ëndërr që po realizohet nga dita në ditë me ekipin tim të zemrës, Vllaznia”.(www.shkodrasport.com)