Nga Endri ÇINARI

Një nga futbollistët e ardhur rishtazi nga akademia që ka firmosur me Vllazninë dje është edhe Gerlad Kubazi. Sulmuesi që prej vitesh shkëlqen me moshat kuqeblu, më në fund është “shpërblyer” me një kontratë profesionist nga an e drejtuesve. Për “Shkodra Sport” ai ka folur në një prononcim plot emocione për këtë zyrtarizim. Duke theksuar se ishte një ëndërr e bërë realitet dhe se puna sapo ka filluar për 19-vjeçarin.

Kubazi tha: “S’di si ta përshkruaj, nuk kam fjalë sepse jam ende ndoshta i emocionuar sepse tashmë do luaj si profesionist. Dhe kjo më tepër me ekipin tim të zemrës që është Vllaznia. E për këtë mund të them se është një ëndërr e bërë realitet.

Ia dedikoj këtë sukses familjes sime fillimisht, trajnerëve tek akademia, shokëve të gjithë këtyre viteve e po ashtu drejtuesve dhe stafit teknik të Vllaznisë. Që kanë besim tek unë dhe unë do përpiqem që t’i shpërblej sa herë të kemi mundësitë e mia.

Objektivi? Të stërvitem dhe përmirësohem çdo ditë. Tashmë gjithçka do jetë ndryshe dhe do kem nga kush të mësoj tek Vllaznia sepse aty ka futbollistë me eksperiencë dhe cilësi.

Për mua gjithçka vetëm sa ka nisur dhe duhet të punoj e sakrifikoj shumë që të arrij suksese dhe protagonist tek Vllaznia”.(www.shkodrasport.com)