Nga Endri ÇINARI

Ersi Zaganjori, mesfushori shkodran ditën e djeshme zyrtarizoi ekipin e ri me të cilin do aktivizohet në edicionin 2025-26. 20-vjeçari tashmë do jetë pjesë e Lushnjes në Kategorinë e Parë dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet i gëzuar për këtë lëvizje. Fantazisti beson se ka gjetur ambientin e duhur për të pasur minutat e shumta dhe shfaqur aftësitë e tij. Teksa ndër të tjera thekson që së bashku me ekipin do mundohet të realizojë objektivat.

Zaganjori tha: “Ndihem i lumtur që tashmë zyrtarizova ekipin e ri që do jetë Lushnja. Jam ndjerë i vlerësuar sepse kanë këmbëngulur për mua, duke më kontaktuar shumë shpesh derisa u finalizua gjithçka. Kjo më ka shtyrë akoma më shumë që të pranoj këtë ofertë dhe besoj se kam bërë gjënë e duhur, pavarësisht se gjithçka do vërtetohet në fushën e lojës.

Skuadra e re? Them se është ambienti i duhur, këtu besoj se do kem minutat e duhura që ndoshta disi më kanë munguar. Dhe do kem mundësinë për të treguar vlerat e mia dhe të ndihmoj skuadrën. Lushnja luan në Kategorinë e Parë, por është një emër i njohur në futbollin shqiptar dhe mendoj se do ketë sërish pretendime madhore edhe në edicionin që vjen.

Objektivat? Së bashku me ekipin të përpiqemi për sa më shumë fitore në çdo ndeshje. Nuk do jetë aspak e lehtë sepse edhe kampionati i Kategorisë së Parë është shumë i fortë. Por, me punë dhe sakrificë besoj se arrihen shumë gjëra. Dhe unë, por edhe pjesa tjetër e futbollistëve janë të gatshëm të japin më të mirën për të ndihmuar sa më shumë skuadrën në realizimin e objektivave”.(www.shkodrasport.com)