Finalja e Champions League 2025 nuk është vetëm çështje taktike, talenti apo golash. Ajo është gjithashtu një përballje filozofish. PSG dhe Interi përfaqësojnë dy modele të kundërta të mënyrës se si konceptohet dhe menaxhohet një klub futbolli në elitën europiane. Njëri beson tek investimi pa limite për të ndërtuar një markë globale; tjetri tek efikasiteti dhe kontrolli financiar si rrugë për të konkurruar.

PSG mbërrin në këtë finale me shifra gjigante: 790 milionë euro kosto të skuadrës, prej të cilave 659 milionë shkojnë për pagat. Edhe pse klubi parizien e ka ulur raportin e pagave ndaj të ardhurave në 82% (nga 109% në sezonin 2021/22), ai vazhdon të operojë në një shkallë të paarritshme për shumicën e rivalëve.

Në anën tjetër është Interi, i cili ka arritur të stabilizojë strukturën e vet pas vitesh me vështirësi ekonomike. Kostoja e skuadrës zikaltër është më pak se gjysma e asaj pariziene: 309 milionë euro (nga të cilat 227 milionë janë paga), me një raport prej 57%, gjithnjë e më afër standardeve të qëndrueshmërisë që kërkon UEFA. Ky model menaxhimi i përgjegjshëm iu ka lejuar zikaltërve të kalojnë nga humbja prej 239 milionë eurosh në sezonin 2020/21 në vetëm 27 milionë në 2023/24, me pritshmëri për fitime në sezonin aktual.

Dy rrugë në merkato
Diferenca nuk qëndron vetëm te pagat. Ajo shihet edhe në mënyrën si lëvizin në tregun e transferimeve dy klubet finaliste të Champions League. PSG ka shpenzuar më shumë se 932 milionë euro që nga sezoni 2021/22, me bilanc negativ prej mbi 500 milionësh. Edhe pas largimeve të Mbappé apo Neymar, klubi ka vazhduar me ritëm të lartë, siç tregon edhe transferimi i Kvaratskhelia për 70 milionë.

Interi, në të kundërt, ka qenë shitës i spikatur, me bilanc pozitiv prej 116 milionë eurosh. Zikaltrit kanë shitur yje si Lukaku, Hakimi apo Onana dhe kanë ri-investuar me inteligjencë. Këtë e kanë bërë pa humbur konkurrueshmërinë. Kjo është finalja e dytë e Ligës së Kampionëve për ta në tri vite.
Skuadra me vlerë, por me distancë
Edhe vlera e tregut e skuadrave, sipas “Football Benchmark”, pasqyron dallimet. PSG ka një skuadër me vlerë mbi 1.030 miliardë euro, e pesta më e vlefshme në Europë. Interi qëndron në 691 milionë euro, por kjo vlerë rritet çdo vit (+19% krahasuar me 2022/23), çka tregon një politikë sportive të qëndrueshme dhe besim te performanca kolektive.

Nëse analizojmë vlerën e skuadrave sipas kostos reale të lojtarëve në momentin e transferimit, PSG përsëri ka shpenzuar më shumë. Klubi francez ka investuar 688.32 milionë euro për formimin e skuadrës aktuale, ku Kvaratskhelia mbetet investimi më i madh (70 milionë euro).
Në anën tjetër, Interi ka shpenzuar shumën prej 245.35 milionë eurosh, pra thuajse një të tretën e rivalit parizien. Blerja më e shtrenjtë? Nicolo Barella, 32.5 milionë euro.

Pronarë dhe strategji, Katari-SHBA
Përballja në fushë është edhe një betejë në zyrat drejtuesve. PSG vazhdon të jetë nën ombrellën e “Qatar Sports Investments”, e cila që nga viti 2011 e ka shndërruar klubin në një instrument të fuqishëm të “soft power”-it global. PSG ka qasje në kapital të pakufizuar, bën marrëveshje tregtare unike dhe posedon një profil ndërkombëtar që pak klube mund ta arrijnë. Por gjithashtu, PSG ndodhet nën vëzhgimin e rreptë të rregullatorëve financiarë të UEFA-s.

Nga ana tjetër, Interi kaloi në vitin 2024 nën kontrollin e “Oaktree Capital”, një fond amerikan investimi që mori përsipër klubin zikaltër pas mos-shlyerjes së një huaje prej 395 milionë eurosh nga ana e pronarëve kinezë të “Suning”. Me “Oaktree” ka nisur një epokë e re: ristrukturim financiar, kontroll i rreptë i shpenzimeve dhe qasje afatgjatë investimi. Interi është tashmë pjesë e një trendi në rritje në futbollin europian, ku kapitali amerikan hyn me vizion biznesi dhe qendrueshmëri afatgjatë.
Finalja e së ardhmes?
Përplasja në “Allianz Arena” nuk është vetëm një finale. Në fakt është edhe një vitrinë e asaj që mund të bëhet futbolli europian në të ardhmen. A mund të vazhdojë të konkurrojë një model racional dhe i ekuilibruar si ai i Interit përballë fuqisë financiare të një shteti si Katari? A do të jetë kjo finale kurorëzim i efikasitetit, apo konfirmimi përfundimtar se paraja sundon gjithçka?
Champions League 2025 do të jetë dëshmitare e një përplasjeje midis dy projekteve, dy modeleve ekonomike, dy mënyrave për të ëndërruar majat e Europës në futboll./telesport/