Paris Saint-Germain pritet të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër pas humbjes zhgënjyese ndaj Chelseat në finalen e Kupës së Botës për Klube. Në sfidën e zhvilluar të dielën në stadiumin MetLife në New Jersey, PSG u mposht bindshëm 3-0 nga gjigantët e Premier Ligës.
Golat e Cole Palmer dhe Joao Pedro vulosën suksesin e Chelseat, duke i dhënë trajnerit Enzo Maresca trofeun e dytë për sezonin 2024/25, pas Ligës së Konferencës UEFA.
Për PSG-në, ky ishte një përfundim i hidhur i një sezoni të shkëlqyer, në të cilin arritën të fitojnë Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori. Megjithatë, humbja në finalen e Kupës së Botës për Klube ka nxitur drejtuesit dhe trajnerin Luis Enrique të mendojnë për ristrukturim të thellë të skuadrës.
Sipas të përditshmes franceze Le Parisien, plot 11 lojtarë të PSG-së pritet të largohen gjatë afatit kalimtar të verës. Në listën e të padëshiruarve janë Milan Skriniar, Nordi Mukiele, Carlos Soler, Marco Asensio dhe Randal Kolo Muani, të cilët sezonin e kaluar u huazuan.
Gjithashtu, Gabriel Moscardo, Lucas Hernandez, Lucas Beraldo, Kang-in Lee dhe Gonçalo Ramos janë vlerësuar si lojtarë të tepërt dhe mund të shiten nëse klubi merr ofertat e duhura.
Në dilemë mbetet edhe e ardhmja e portierit Gianluigi Donnarumma. Kontrata e tij skadon në vitin 2026 dhe ende nuk është rinovuar, ndërkohë që interes për të kanë shfaqur Chelsea, Manchester United dhe Manchester City.
Sipas The Sun, Chelsea e ka shqyrtuar mundësinë e transferimit të italianit, por Donnarumma ende preferon të qëndrojë në Paris. Ndërkohë, PSG po punon për të forcuar repartin defensiv dhe e ka vendosur si objektiv kryesor blerjen e Illia Zabarnyit nga Bournemouth.