Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht humbjes në shifrat 3-1 ndaj Dinamos në javën e dytë të kampionatit, tek Vllaznia futbollistët janë “shpërblyer” me dy ditë pushimi. Kështu trajneri Martini dhe stafi i tij kanë vendosur që ta lënë skuadrën pushim në këtë fillim jave. Kjo “pauzë” e shkodranëve vjen si pasojë edhe e “pauzës” së kampionatit shqiptar, që gjatë kësaj fundjave do jetë pushim.
Kjo për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në mbarë Europën, duke përfshirë këtu edhe kombëtaren shqiptare. Në këtë mënyrë futbollistët kuqeblu do kenë dy ditë mundësi për të rikuperuar energjitë, në një verë që ka qenë e gjatë për ta. Për shkak të angazhimeve në kupat e Europës, por edhe përgatitjeve të fazës përgatitore.
Prandaj një pushim i titullarëve dhe gjithë skuadrës është shikuar si i domosdoshëm. Shkodranët pritet t’i rinisin përgatitjet e tyre gjatë kësaj mesjave, ku në fundjavë po ashtu ekziston mundësia që skuadra të zhvillojë një ndeshje miqësore në mënyrë që të ruajë ritmin e dueleve.
Aktualisht si plan është një përballje me Vllaznia B, megjithëse ende s’ka diçka të konfirmuar nga ana e klubit. Po ashtu momentalisht tek shkodranët kënaq fakti se grupi është i plotë dhe asnjë prej futbollistëve nuk ka shfaqur ndonjë problem fizik. Në këtë mënyrë duke qenë të gjithë të gatshëm dhe nën urdhërat e trajnerit Martini për të dhënë kontributin e tyre kur të kërkohet për fanellën e 9 herë kampionëve të vendit tonë.(www.shkodrasport.com)