Ditën pas lamtumirës së dhënë nga Carlo Ancelotti, në paraqitjen e tij të fundit në stolin e Real Madridit dhe në “Santiago Bernabéu”, pas një eventi emocionues, që preku zemrat e të gjithëve, ka mbërritur edhe zyrtarizimi i shumëpritur: Xabi Alonso është zyrtarisht trajneri i ri i “Los Blancos”.

Nuk kishte asnjë dyshim për këtë dhe siç është konfirmuar në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga klubi i Florentino Pérez, ish-trajneri i Bayer Leverkusen ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare, deri më 30 qershor 2028.

Nesër, ditën e hënë, më 26 maj, në orën 12:30, Xabi Alonso do të prezantohet si trajneri i ri i Real Madridit. Fillimisht do të pritet nga presidenti i klubit për ceremoninë zyrtare të nënshkrimit. Më pas, ish-mesfushori i Liverpool-it dhe Bayern MunIch do t’Iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

Njoftimi zyrtar i klubit:

“Real Madrid C.F. njofton se Xabi Alonso do të jetë trajneri ynë për tri sezonet e ardhshme, nga data 1 qershor 2025 deri më 30 qershor 2028. Xabi Alonso është një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe të futbollit botëror. Ai mbrojti fanellën tonë në 236 ndeshje zyrtare, nga viti 2009 deri më 2014. Gjatë asaj kohe ai fitoi 6 tituj: “La Décima” (Liga e dhjetë e Kampioneve) në Lisbonë, 1 Superkupë Europe, 1 titull në La Liga, 2 Kupa të Mbretit dhe 1 Superkupë të Spanjës.

Xabi Alonso është gjithashtu një legjendë e kombëtares spanjolle, me të cilën ka fituar 1 Kupë Bote (2010) dhe 2 Kampionate Europiane (2008 dhe 2012), duke regjistruar 113 paraqitje me ekipin kombëtar.

Karrierën si trajner e nisi në sektorin e të rinjve të Real Madridit, duke drejtuar në sezonin 2018–2019 ekipin e të rinjve A, me të cilin fitoi kampionatin dhe ‘Torneo de Campeones’.

Tani kthehet te Real Madridi si një nga trajnerët më të mirë në botë, pas suksesit historik me Bayer Leverkusenin, me të cilin fitoi Bundesligën, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë në vetëm tri sezone”./telesport/