Shqipëria fitoi ndaj Gjibraltarit një ndeshje miqësore, teksa do të luajë në datën 9 shtator një zyrtare ndaj Letonisë. Në prag të këtij takimi, ish-mesfushori Redi Jupi ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ku u ndal te gjendja e skuadrës, te Shqipëria U21, moshat e gjithashtu te vendimi i Bajramit për të ndërruar ekipin Kombëtar.
Veç të tjerash, Jupi ka kritikuar rregullin e të huajve.
Duke parë si është Letonia, a duhet të kishte pasur diçka ndryshe në listë? Ndeshjet nuk fitohen me ndryshime në listë. Ekipi ynë është kristalizuar dhe dihen lojtarët. Publiku që pret ndryshime dhe “mish të ri” në çdo grumbullim, e ka gabim. Ne nuk mund të kemi të rinj në çdo grumbullim. Më të mirët pak a shumë janë ata që kemi në listë dhe me diferenca pak me të vogla janë që mund t’iu bëjnë mirë për të ardhmen e tyre ose ndoshta për Shqipërinë mbas disa kohësh por nuk mund të jenë që influencojnë rezultatin direkt në kualifikuese. Ky është sa i përket aspektit teknik. Ka edhe aspekt moral qe kur bëhet lista, thirren lojtarët më të mirë të momentit dhe ky është detyrim moral për karrierën e çdo lojtari dhe këtu mund te ketë gjëra për të diskutuar.
Shqipëria luan ndaj Letonisë, si i sheh shanset për Botëror?
Janë minimizuar shumë pas rezultateve. Kemi bërë 3 ndeshje, me Anglinë ndeshje “nul” sepse nuk luajtëm por pritej rezultati. Me Serbinë bëmë ndeshje të mire dhe ndoshta nuk kishim fatin me vete. Kundërshtari është direkt dhe duhej 3 pikë, por të ngroh pak performanca. Pastaj gabuam me Letoninë. Është ekip i dobët, ndoshta jo më i dobëti në Europë por ishte ndeshje që duhej fituar. Nuk luajtëm thuajse fare dhe ishte si situatë degresive pas ndeshjes me Serbinë dhe nuk duhej të krijohej sepse ndaj Serbisë nuk bëmë ndeshje të keqe. E çuditshme, pa intensitet pa dëshirë dhe ndoshta pa lojtarët e duhur. Ai barazim na ka ulur shanset për t’u kualifikuar.
Në ditët e fundit, Adrian Bajrami vendosi të largohej nga Shqipëria për të përfaqësuar Zvicrën. Si e komenton një lëvizje të tillë?
Zakonisht bëhet shumë zhurmë për lojtarë që nuk janë shumë të rëndësishëm për kombëtaren ose periferikë edhe pse secili ka staturën e tij në listë. Ai ka bërë disa ndeshje miqësore dhe ka luajtur pak minuta. Zhurmë u bë për Brutin qe nuk grumbullohet fare dhe po rri te U21. Në aspektin e imazhit, kjo është firo e parë që kemi. Ishte lojtarë që e kishim dhe iku. Zakonisht ato që luajnë për Shqipërinë janë të lidhur më fanellën, ambientin. Kemi Gjimshitin që ka luajtur në nivele shumë të larta që nuk u mor në Europian por qëndroi besnik dhe luajti mirë duke qenë ndër më të mirët ne histori. Si duket ky djali ka bërë llogari të tij. Ai luan në Zvicër dhe është dhe menaxheri. Ai e ka me të thjeshtë të luajë te Zvicra më shumë ka mundësi të gjejë hapësira atje. Të vjen mirë u bë inverse me Shqipërinë. Më pare vinin sepse merrnin minuta, ndërsa tani ka mundësi të marrin minuta diku tjetër. Na është rritur niveli në mbrojtje. Ai ka menduar që këtu nuk luaj sepse janë të fortë dhe të rinj. Nuk e di situatën e mbrojtjes së Zvicrës por ai ka menduar aty ku mund të luajë. Nuk është mirë normal sepse ka shumë vite që i kemi fituar këtu duele. Duhet menaxhim më i mirë, nuk them për t’i djegur por janë lojtarët tonë dhe duhet menaxhim më i mirë.
Shqipëria U21 luan në Europian dhe ndryshe nga koha kur ju ishit trajner, tani ka shumë futbollistë që luajnë në Europë. Sa mendon se mund të shkojë kjo skuadër me ekipin që ka?
Në kohën time jo vetëm që ishin pak lojtarë që luanin në Europë, por edhe ata që kisha nuk kishim moshën. Kur isha unë trajner, vetëm Latifi ishte lojtar titullar ndërsa në Superiore asnjë nuk ishte 19-20 vjeç. Tani ka më shumë sepse ka rënë niveli i kampionatit, niveli i pagesave e këto. Nuk është mirë për kampionatin por është mirë për ekipin e moshave. Ka lojtarë të tjerë që luajnë jashtë, kane qëndruar andej, e rritur andej. Përgjegjësia është e madhe sepse ka pak skuadra jo si europiani i të rriturve. Ka pak skuadra dhe e pamë me U17 ku mendoj se nuk do jetë ai disnivel sepse ne morëm pjesë si organizator sepse nuk kualifikoheshim dot. Edhe këtu nuk kualifikohemi dot por jemi si organizatorë dhe do ketë disnivel më të ngushtë.
Dikur, futbollistët shqiptarë linin Shqipërinë U21 për Greqinë, ndërsa sot nuk binden të vijnë të Shqipëria. Çfarë duhet ndryshuar për t’i bindur ?
Shiko, nuk është sipërmarrje e lehtë për lojtarë që luajnë për Italinë e Gjermaninë si rasti i Grudës për ti mbushur mendjen. Ne e dimë që luftën e kemi të humbur madje edhe me Zvicrën edhe pse mu bë qejfi që një lojtar la Kosovën për Zvicrën si Avdullahu. Zvicra kishte me të vërtetë interes. Politika ishte që ne i thoshim lojtarëve që këtu do të luash. Disniveli ishte i dukshëm dhe është. Atë kohë bëhej fjalë për Mustafin të Sampdoria dhe sa kishte filluar, 20 vjeç. I thamë shiko interesin tënd, të karrierës. E dimë që Gjermania është Gjermani por sa mund të luash atje? Ne nuk mendonim që arrin atë nivel Ai tha dëgjo, unë kam shumë respekt dhe ndihem shqiptar por jam formuar e rritur këtu. Nëse më bëjnë ftesën e kam zgjedhje të parë. Kur erdhi puna ai luajti në Botëror dhe u shpall kampion bote. Madje edh shënoi. Ishte zgjedhje e drejtë për interesat e tij dhe po flas si teknik sepse me patriotizëm ti do zgjedhësh ekipin tënd. Do e kemi të vështirë ti marrim këto lojtarë por duhen bërë llogari që ë ke te vështirë të luash 7-8 vjet, 10 vjet me Italinë apo Gjermaninë ndërsa në Shqipëri e ke te lehtë.
Së fundmi është rritur numri i të huajve në kampionatin shqiptar. Sa ndikon ky vendim në cilësinë e kampionatit por edhe në ekipet e moshave të Kombëtares?
Ky është një rregull që nuk e mora vësh. Ka disa vite që duan të ngrenë ekipet e moshave, të ngrenë nivelin e kampionatit dhe të Kombëtares. Kanë vënë edhe një rregullore të brendshme që duhet të ketë një raport të drejtë me kuota për lojtarët që luajnë në Shqipëri me ata që luajnë jashtë. Të gjitha këto qe deklarojnë janë pak të ndryshme nga ato që bëhen sepse rritja e numrit të huajve nuk shkon në të njëjtën linjë me këtë politikë. Numri i të huajve po shkon në pa limit dhe automatikisht këto skuadra që kanë ekipe B, U21 apo edhe tjera, do aktivizojnë të huajt te moshat dhe kjo ka efekt imediat, afatmesëm dhe afatgjatë në futbollin tonë. Kemi pak ekipe dhe kemi lojtarë nga moshat që kanë numër jo te vogël dhe duan hapësira ku të luajnë por hapësirat janë të vogla. Këtu nuk bëhet fjalë për shume të talentuar sepse ata e gjejnë hapësirën, por behet djalë për ata që duhet të pritet pak, por ne nuk presim dot sepse ua kemi zënë vendin dhe prandaj them që do të ketë efekt afatshkurtër dhe afatgjatë.