Vllaznia është një klub që gjithmonë është shquar për nxjerrjen e lojtarëve cilësorë, të cilët kanë mbushur jo vetëm rradhët e saj por edhe të ekipeve të tjera të Superiores. Nga sezoni në sezon është vërejtur një numër i konsiderueshëm futbollistësh shkodranë që kanë kontribuar për ekipet e tjera, por sivjet ky numër duket se ka rënë.
Nga një vëzhgim i bërë nga gazeta “Shkodra Sport” në listat e federimit të Superiores për sezonin 2025-2026, na rezulton se kemi vetëm 10 futbollistë shkodranë (kuptohet përveç atyre që luajnë me Vllazninë) të cilët kontribuojnë për skuadrat e tjera të kampionatit më elitar në vendin tonë.
Numrin më të madh të tyre e ka Flamurtari ku luajnë plot 3 futbollistë shkodranë e pikërisht Denis Pjeshka, Herald Marku dhe Erald Maksuti. Më pas vjen Partizani me të cilën luajnë dy shkodranë: Marçelino Preka dhe Nebi Qokthi. Dy shkodranë janë edhe tek Egnatia, Abdurrahman Fangaj dhe Ildi Gruda.
Ndërkohë nga një futbollist shkodran luan tek Dinamo (Eridon Qardaku), Elbasani (Antonio Delaj) dhe Vora (Serjan Repaj).
Tre ekipe të Superiores dhe pikërisht Tirana, Teuta dhe Bylis, kanë preferuar të mos kenë asnjë futbollist shkodran në rradhët e tyre për këtë sezon.(www.shkodrasport.com)