Kapiteni i Mançester Junajtid, Bruno Fernandesh, ka refuzuar një ofertë jashtëzakonisht të majme nga klubi arab Al-Hilal, duke zgjedhur të mbetet besnik ndaj “Djajve të Kuq” dhe ambicieve të tij profesionale në futbollin europian.
Sipas burimeve të afërta me lojtarin, mesfushori portugez ka refuzuar një kontratë trevjeçare, me vlerë mbi 200 milionë paund, që do t’i kishte trefishuar pagën aktuale. Vendimi i 30-vjeçarit ka ardhur pas një telefonate direkte nga presidenti i Al-Hilal dhe pas diskutimeve me trajnerin e Junajtid, Ruben Amorim. Megjithatë, ndikimi më i madh në këtë vendim, sipas vetë lojtarit, ka qenë bashkëshortja e tij, Ana.
“Nuk thashë as po, as jo,” u shpreh Fernandesh gjatë një konference për shtyp me kombëtaren portugeze.
“Ishte gruaja ime ajo që më rikujtoi se prioriteti im është karriera dhe ambicia profesionale. E kuptova se nuk është ende momenti për të lënë nivelet më të larta të futbollit”. Ai shtoi se kishte biseduar edhe me miqtë e tij në klubin saudit, si Ruben Nevezh dhe Zhoao Kanselo, por që dëshira për të konkurruar në kompeticionet më prestigjioze e mbajti në Europë.
“Dua të jem ende në garat e mëdha, sepse ndiej se kam shumë për të dhënë”, deklaroi Fernandes. Kapiteni i Junajtid ka qenë një nga të paktët që kanë bërë mirë në një sezon zhgënjyer për Junajtidin, që përfundoi me humbjen në finalen e Ligës së Europës ndaj Totenhamit.