Renato Arapi ka folur për herë të parë në rolin e tij të ri si drejtor sportiv i Teutës. Ish-mbrojtësi i njohur, i cili ka një histori të gjatë me klubin durrsak, ka ndarë emocionet pas rikthimit dhe ambiciet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë hap të ri në karrierë.

“Si ndiheni?”
“Normalisht që ndihem krenar dhe shumë mirë,” u shpreh Arapi. “Falënderoj drejtuesit për besimin që më kanë dhënë. Ajo që më bëri të rikthehem ishin padyshim ambiciet dhe projekti që po ndërtohet. Shpresoj që së bashku të arrijmë më të mirën.”

Teuta vjen me një projekt të rinovuar, dhe Arapi, i pyetur nëse objektivat e shpallur nga presidenti janë të realizueshëm, u shpreh i bindur për vizionin e klubit.

“Ne duam të ndërtojmë një klub në kuptimin e plotë të fjalës,” tha ai.
“Kur themi klub, nënkuptojmë gjithçka që përfshin: terrene sportive, hotel, shkollë – çdo element që e bën një strukturë serioze. Do të fillojmë gjithashtu me riformatimin e akademisë, që është një nga prioritetet tona. Duhet theksuar se Teuta është klubi me më shumë futbollistë në akademi në të gjithë Shqipërinë, dhe kjo duhet vlerësuar siç duhet.”

Në lidhje me merkaton, Arapi pranoi se skuadra është disi e vonuar në krahasim me rivalët, por puna po ecën me ritme të shpejta.

“Jemi pak mbrapa, sepse e kemi nisur pak më vonë se të tjerët, por jemi në lëvizje. Disa lojtarë janë afruar tashmë, dhe të tjerë pritet të vijnë shumë shpejt. Besoj se do të jemi një skuadër konkurruese.”