Nga Endri ÇINARI
Një rikthim i rëndësishëm për Vllazninë në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Egnatias ka qenë Ardit Krymi. Mesfushori u hodh në fushë si zëvendësues në minutën e 70-të në vend të Dros. Duke treguar tashmë se i ka lënë pas problemet fizike që e kanë shoqëruar nga fundi i sezonit të shkuar. Ku edhe në duelet europiane që zhvilluan kuqeblutë, 29-vjeçari ka luajtur me sakrifica dhe me ndihmën e injeksioneve.
Duke rrezikuar madje edhe një dëmtim më të rëndë që mund ta linte jashtë fushave për shumë muaj. Por, fatmirësisht tashmë Krymi është kthyer nën dispozionin e trajnerit Martini dhe stafit teknik.
Por, ende mesfushori nuk gëzon 100% të gjendjes fizike dhe minutat për të do rriten gradualisht në javët dhe ndeshjet e ardhshme. Ku edhe pushimi për ndeshjet e kombëtareve do shërbejë shumë për rikuperimin e plotë të shkodranit.
Për Vllazninë, rikthimi i Krymit është absolutisht një lajm më shumë se pozitiv. Pasi pranë skuadrës rikthehet duke lënë pas dëmtimet një prej mesfushorëve më të fortë të kampionatit. E po ashtu rritja e formës së Krymit, por edhe Kallakut në javët e ardhshme mund t’i garantojnë kuqebluve një prej mesfushave më të forta të kampionatit në sezonin 2025-26.(www.shkodrasport.com)