Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se Vllaznia u mposht në ndeshjen e parë të Conference League përballë Daugavpils me rezultatin 0-1, kjo nuk ka bërë që trajneri Martini të veprojë me “dorë të hekurt”. Kjo pasi shkodrani ka vendosur të relaksojë futbollistët e tij në fundjavë. Me kuqeblutë që kanë qenë pushim dhe kanë shijuar plazhin në bregdet gjatë këtyre ditëve. Në mënyrë që t’i kthehen edhe një herë stërvitjeve të zakonshme ditën e hënë.
Kështu pas një faze përgatitore të një ritmi të lartë dhe ndeshjes së parë zyrtare të sezonit, është parë e udhës që futbollistët e Vllaznisë të shijojnë këtë fundjavë.
Duke qëndruar larg fushave stërvitore dhe po ashtu presionit që 9 herë kampionët e vendit kanë për të kaluar turin dhe përmbysur shifrat në ndeshjen e kthimit në Letoni. Ku pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, kalimi i turit ngelet një objektiv për shkodranët.
Po ashtu ky pushim 2 ditor ka shërbyer edhe për futbollistët të cilët kanë pasur probleme fizike. Të cilët kanë pasur kohën e duhur për të bërë ekzaminime më të detajuara e po ashtu për të qenë të gatshëm për ndeshjen e rradhës. Ku grupi kuqeblu pritet të jetë disi më i plotësuar se sa ai i ndeshjes së parë në Elbasan.(www.shkodrasport.com)