Nga Endri ÇINARI
Ditën e mërkurë pasdite, skuadra e Vllaznisë është rikthyer në fushën stërvitore pas 2 ditësh pushim. Ku shkodranët shijuan të lirë këtë fillim jave, për t’u kthyer tashmë sërish nën urdhërat e trajnerit Martini dhe stafit të tij. Pavarësisht humbjes së fundit ndaj Dinamos në shifrat 3-1, humori dhe gjendja psikologjike në kampin kuqeblu ka qenë shumë pozitive. Me futbollistët shkodranë që janë parë në një atmosferë pozitive, duke mos i ndikuar aspak nga disfata e fundit.
Kjo edhe për shkak se mbi skuadrën momentalisht nuk ekziston asnjë presion dhe pritet vetëm konfigurimi dhe ardhja në formë e gjithë grupit. Për t’u rikthyer tek stërvitja, ajo nuk ka qenë e një ritmi shumë të lartë dhe futbollistët më së shumti kanë zhvilluar disa vrapime të lehte dhe lojëra brenda grupit. Në mënyrë që ngarkesa fizike të mos jetë shumë e lartë dhe lojtarët të mos mbingarkohen, duke qenë se edhe kampionati do jetë pushim gjatë kësaj fundjave në Superiore.
Për t’u shtuar është fakti se grupi ka qenë i plotë, me asnjë prej futbollistëve të 9 herë kampionëve të vendit që vuan ndonjë dëmtim apo ndalesë në infermieri. Kjo patjetër kënaq Martinin, që do kërkojë arritjen e formës fizike nga të gjithë në këto ditë.
Në mënyrë që gjithë futbollistët të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre në momentin që skuadra do rikthehet në aktivitet. Ku kurioziteti është ende shumë i madh për të shikuar disa nga të afruarit e kësaj vere në maksimumin e formës së tyre sportive dhe fizike.(www.shkodrasport.com)