Klubi legjendar i futbollit amerikan që dikur solli në SHBA yje si Pelé, Franz Beckenbauer dhe Johan Cruyff është rikthyer, por këtë herë me një emër të ri dhe një qasje ndryshe.

Cosmos ka hequr referencat ndaj New York-ut nga emri, duke ngritur selinë në Paterson, New Jersey, shkruan A2 CNN. Duke nisur nga viti 2026, skuadra e meshkujve e do të garojë në USL League One, niveli i tretë i futbollit amerikan, që funksionon në mënyrë të pavarur nga Major League Soccer (MLS).

Gjithashtu, klubi ka planifikuar që në vitin 2027 të prezantojë edhe një skuadër të femrave që do të marrë pjesë në USL Super League.

Ndeshjet e tyre do të luhen në stadiumin Hinchliffe me kapacitet prej 7800 ulësesh, një arenë që më parë është përdorur kryesisht për bejsboll. Kjo është një hapësirë dukshëm më e vogël krahasuar me “Giants Stadium”, ku Cosmos tërhiqnin turma të mëdha gjatë kulmit të suksesit të tyre në vitet 1970 dhe 1980.

Të drejtat e markës dhe shumicën e aksioneve të klubit i ka blerë kompania North Jersey Pro Soccer, e udhëhequr nga zhvilluesi i pasurive të paluajtshme, Baye Adofo-Wilson. Ai i ka blerë këto të drejta nga biznesmeni italiano-amerikan dhe pronari i Fiorentinës, Rocco Commisso, i cili kishte “ngrirë” aktivitetin e klubit në vitin 2021 pas blerjes së klubit italian. Commisso ka mbajtur një përqindje të vogël të aksioneve.

Një tjetër emër i madh që është bashkuar me projektin është ish-sulmuesi i Italisë dhe Manchester United, Giuseppe Rossi, i cili është emëruar nënkryetar dhe përgjegjës për futbollin në klub.

Por ndryshe nga e kaluara, ku Cosmos tërhiqte emra të mëdhenj të futbollit botëror, rikthimi i ri synon ndërtimin e talentit vendas. “Magjia e vërtetë do të jenë lojtarët që ne do të zhvillojmë këtu në North Jersey”, deklaroi Rossi gjatë një aktiviteti në bashkinë e qytetit Paterson. “Do të tregojmë çfarë do të thotë të jesh një Cosmo, vlerat, stili, komuniteti, këto janë ato që i tërheqin njerëzit”.

Cosmos fituan pesë herë kampionatin NASL midis viteve 1975 dhe 1984 përpara se liga të shpërbëhej për arsye financiare. Klubi u mbyll në vitin 1985, por u ringjall në vitin 2010 dhe luajti në një version të ri të NASL midis 2011 dhe 2017, duke fituar tre tituj të tjerë. (A2 Televizion)