Nga Endri ÇINARI

Rinovimi i Esat Males duket se është çështja më e “nxehtë” tek Vllaznia në këto përgatitje të fillim verës. Prizrenasit i ka skaduar kontrata me 9 herë kampionët e vendit e për momentin gjërat duken në vendnumorë. Po ashtu shtatshkurtëri nuk ka qenë pjesë e seancave të para stërvitore për edicionin 2025-26, me trajnerin Martini që theksoi se futbollisti ka pasur disa ditë pushimi më tepër se pjesa tjetër e skuadrës.

Dhe se pritet të kthehet këto ditë pranë skuadrës, ku qëllimi kryesor është rinovimi dhe vijmi i bashkëpunimit mes dy palëve. Por, gjithçka duket se ka ngelur tek aspekti ekonomik momentalisht. Me ofertën e klubit dhe kërkesën e futbollistit që nuk shkojnë paralel dhe për momentin nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Megjithatë, këto ditë pritet të jenë vendimtare, pasi do vendoset përfundimisht nëse Mala do e vijojë apo jo karrierën në Shkodër.

Në aspektin personal, 26-vjeçari që prej 3 sezonesh është pjesë e kuqebluve ndihet shumë i vlerësuar në klub, por edhe në qytet. Megjithatë pas “derës” së tij qëndrojnë shumë klube dhe shumë oferta, me Partizanin e Dritën e Gjilanit që duket se momentalisht po këmbëngulin më tepër. Por, fillimisht Mala do respektojë Vllazninë dhe do dëgjojë ofertën zyrtare dhe ndoshta edhe përfundimtare të drejtuesve shkodranë.

Esat Mala zhvilloi në sezon të shkëlqyer në atë 2024-25 në Superiore. Ku me Vllazninë zbriti 38 herë në fushë, duke shënuar 7 gola dhe dhuruar 12 asiste. Shifra rekord e mesfushorin që përjetoi sezonin më të mirë në aspektin personal deri në këtë pikë të karrierës së tij.