Akademia “Djelmnia Shkodrane” vazhdon të sjellë shumë risi në ecurinë e saj dhe gjithçka bëhet padyshim për rritjen e cilësisë së punës e po ashtu edhe për përzgjedhjen e elementit cilësor. Pikërisht në këtë aspekt ka ardhur edhe risia më e fundit e saj.
Administratori i kësaj Akademie Fatmir Marku ka bërë të ditur për gazetën “Shkodra Sport” se për sezonin e ri futbollistik ka aplikuar një rregull të ri, i cili pritet të sjellë interes gjithnjë e më të madh nga futbollistët e vegjël për t’u bërë pjesë e saj.
Kështu, për futbollistët e moshave nga 7 deri në 13 vjeç do të përfitojnë trajnim njëvjetor pa pagesë mujore pranë kësaj Akademie nëse i kalojnë me sukses testet teknik. Çka do të thotë se nëse stafi i “Djelmnia Shkodrane” bindet për vlerat teknike të këtyre futbollistëve të vegjël duke i konsideruar ato me të ardhme, atëherë për një vit do të përfitojnë gjithçka falas.
Po ashtu, për fëmijët nga mosha 14 deri në 17 vjeç do të jetë në fuqi e njëjta ofertë, por këtë herë testet përveçse teknike do të jenë edhe fizike dhe më të talentuarit do ta përfitojnë atë. Për këtë arsye të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë me drejtuesit e “Djelmnia Shkodrane” për të mësuar më tepër në lidhje me datat kur do të zhvillohen testet dhe për detajet e tjera.(www.shkodrasport.com)
