Trajneri i Prizrenit në Kosovë, shkodrani Samuel Nikaj, ka dhënë së fundmi një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ish-numri një edhe i pankinës së Vllaznisë ka analizuar në detaje sezonin e kuqebluve.
Në fjalët e tij Nikaj thekson se sezoni mund të quhet si zhgënjyes sidomos për tifozët. Por në klub dhe qytet nuk mund të kënaqen vetëm me pjesëmarrjet në Europë, pasi trofetë mungojnë prej vitesh. Ndër të tjera, ai komenton edhe largimin e Brdariç dhe afrimin e dyshes Martini-Sinani.
Një sezon tjetër pa trofe për Vllazninë, zhgënjyese?
Besoj se po, sidomos për tifozët që janë numër një në Shqipëri ishte akoma edhe më zhgënjyes. Kanë vite që vuajnë dhe me të drejtë pretendojnë titullin kampion. Kjo sepse Shkodra dhe Vllaznia në raport me atë çfarë i kanë dhënë futbollit shqiptar, si me futbollistë dhe trajnerë ka marrë shumë pak tituj kampion. Prandaj do ta cilësoja si një sezon që nuk i përmbushi totalisht pritshmëritë tek të gjithë.
Ku duhet të synojnë drejtuesit për ta përforcuar ekipin, në çfarë repartesh?
Kjo është një detyrë e stafit të ri, që do përcaktojë pozicionet ku ekipi ka nevojë për përforcim. Në opinionin tim Vllaznia ka nevojë për dy përforcime të rëndësishme në mbrojtje. Konkretisht në pozicionet e qendërmbrojtësve, pasi ka qenë një pozicion që e ka penalizuar shumë skuadrën në sezonin e shkuar. Prandaj aty duhet të jetë synimi i parë për përforcimin e skuadrës.