Dëmtimi i rëndë që Jamal Musiala pësoi në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germain ka lënë të shokuar Leroy Sané. Ylli gjerman, i cili së fundmi ka përfunduar transferimin te Galatasaray pas largimit nga Bayern Munich, ka reaguar me dhimbje ndaj fatkeqësisë së shokut të tij të skuadrës.

Musiala u detyrua të largohej nga fusha pak para përfundimit të pjesës së parë, në humbjen 0–2 të Bayern ndaj PSG, pas një ndërhyrjeje që më vonë rezultoi në frakturë të fibulës dhe zhvendosje të kyçit të këmbës. Ai pritet të mungojë për të paktën katër muaj.

“Isha i shokuar kur e pashë momentin në TV,” tha Sané për Sky Germany. “Që në ripërsëritjen e parë dukej se ishte një dëmtim i rëndë. Ishte tronditëse. Në fillim mbeta pa fjalë.”

Sané zbuloi se e ka kontaktuar menjëherë Musialan pas ndeshjes.

“I dërgova një mesazh në WhatsApp dhe më pas folëm edhe në telefon. Ishte një bisedë shumë emocionale”, u shpreh ai.

Për mesfushorin e kombëtares gjermane, ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se Musiala sapo ishte rikthyer në formë të plotë pas një periudhe të gjatë mungese.

“Ai sapo kishte rifituar 100% formën e tij… dhe më pas ndodh kjo. Ndihem vërtet keq për të. Është e padrejtë dhe tepër zhgënjyese”, tha Sané.

Në fund, ai shprehu besimin se Musiala do të rikthehet më i fortë se kurrë.

“Shpresoj shumë që të rikthehet sa më shpejt. Bayerni dhe kombëtarja kanë nevojë për të – për talentin e tij dhe momentet magjike që ai sjell në fushë.”