Ish-administratori i Vllaznisë dhe ish-futbollisti i saj, Kujtim Shaba, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur tek analiza e sezonit për Vllazninë dhe ndryshimet që kanë ndodhur te kuqeblutë së fundmi.
Po ashtu, ai komenton edhe uljen në pankinë të Edi Martinit, duke theksuar se ndryshimet bëhen për mirë. Teksa po ashtu ish-drejtuesi i 9 herë kampionëve, flet edhe për pjesëmarrjen e shkodranëve në “Conference League” dhe merkaton e verës.
Shaba, një Vllazni që doli “duarbosh” këtë sezon, çfarë gabuan kuqeblutë në finalen e kampionatit?
Them se mënyra që e interpretuan lojën që në fillimin e saj kundër Egnatias, nuk ishte aspak e duhura. Vllaznisë i mungoi ai “nervi” i një finaleje dhe ia bënë shumë më të lehtë kundërshtarit për të triumfuar. Që nga ana e tyre, pavarësisht cilësive që kanë, ku në opinionin tim kanë qenë ekipi më i kompletuar i sezonit, e fituan finalen pa ndonjë “mund” të madh. Me ekipin shkodran që asnjë herë nuk u fut në shinat e duhura duke pranuar disfatën pa rezistencë.
Duhej të bënte diçka ndryshe Brdariç?
Ndoshta nga mënyra e vendosjes së disa lojtarëve në fushë, edhe trajneri ka “mëkatet” e tij. Sepse Dodaj në krahun e djathtë të sulmit apo edhe Mala në mesfushë nuk rezultuan zgjedhje të goditura. Besoj se ato lëvizje ndikuan shumë në manovrën e ekipit që gjatë sezonit e kishte interpretuar ndryshe, me futbollistët që kishin luajtur në pozicione të tjera gjatë pjesës më të madhe të sezonit.
Edi Martini kthehet në stolin e kuqebluve pas 15 vitesh, zgjedhja e duhur?
Nëse do të jetë zgjedhja e duhur, atë do ta tregojë vetëm koha dhe rezultatet. Sepse suksesi matet në sport vetëm me rezultatet. Ndryshimet te një klub bëhen për mirë dhe gjithmonë mendohet pozitivisht kur një trajner i ri vjen. Edi (Martini) është një djalë që e njeh ambientin e futbollit në Shkodër shumë mirë dhe e di se çfarë kërkohet këtu. Ai është një trajner kampion në futbollin tonë dhe prandaj eksperienca dhe aftësia për të menaxhuar një skuadër nuk i mungojnë aspak.