Zërat e merkatos prej ditësh flasin për një transferim të bujshëm të golashënuesit më të mirë të Kategorisë së Parë në sezonin e fundit, Manfredas Ruzgis, te gjigantët e futbollit azer, Karabaku. Së fundmi, mediat nga Azerbajxhani bënë me dije se sulmuesi i kombëtares lituaneze dhe klubit të Vorës është në bisedime me Karabakun.
Më në fund, për këtë lëvizje të mundshme ka folur edhe vetë “i zoti i punës”. Në një prononcim për “Futbolinfo.az”, sulmuesi i Vorës tha se ka pasur oferta, por për të ardhmen e tij po merret menaxheri i tij.
“Disa agjentë më kontaktuan duke thënë se kishin diçka për mua, por unë nuk i pyeta se për cilat klube po i referoheshin. Nuk di ende për ndonjë ofertë specifike, dhe as agjenti im nuk më ka informuar asgjë specifike”, u shpreh fillimisht Ruzgis. Gjithsesi, sulmuesi lituanez ka folur edhe për klubin azer të Karabakut.
”Mendoj se Karabak është një emër i madh në Europë. Ata performojnë mirë në nivel ndërkombëtar çdo vit dhe bëjnë përshtypje me stilin e tyre të futbollit. Të them të drejtën, nuk i njoh lojtarët individualisht, por kjo ndodh edhe sepse nuk u kushtoj shumë vëmendje të tjerëve. Përqendrohem te vetja, punoj shumë për të realizuar potencialin tim të plotë”, deklaroi Ruzgis kur u pyet rreth klubit të Karabakut. Sulmuesi lituanez u tregua diplomatik në rrëfimin e tij, duke shprehur konsiderata për Karabakun dhe duke pasuar topin te menaxheri i tij.