Nga Maringlen ZHIVANI

Prej disa ditësh, emri i tij qarkullon në ambientin e klubit të Vllaznisë si një afrim i mundshëm. Fjala është për Artan Jazxhin, mbrojtësi që është afrimi i rradhës i kuqebluve. Kjo gjë pritet të zyrtarizohet shumë shpejt edhe nga ana e vetë klubit, pasi 23-vjeçari ka qenë dje në Shkodër dhe madje edhe ishte i pranishëm në seancën stërvitore.

Në fakt, “Shkodra Sport” e kishte paralajmëruar një lëvizje të tillë që më datë 29-maj dhe ky është një lajm i konfirmuar tashmë, duke qenë se Jazxhi ndodhet në kryeqendrën e veriut dhe ka nisur stërvitjen me Vllazninë.

Nga çfarë mësohet në burime pranë klubit, futbollisti i Teutës do të huazohet tek Vllaznia për Kupat e Europës, teksa në rast kalimi të një turi, nga ana e drejtuesve kuqeblu do të tentohet edhe blerja e kartonit, duke qenë se Jazxhi ka kontratë deri në janar.

23-vjeçari, në të gjithë karrierën e tij ka qenë pjesë e Teutës. Ky futbollist njihet mjaft mirë nga ana e trajnerit Edi Martini, i cili i vlerëson shumë cilësitë e tij. Në repartin e prapavijës, Jazxhi aktivizohet si qendërmbrojtës.(www.shkodrasport.com)