Udhëtimi i fundit në Ibiza i disa lojtarëve të Bayern Munich, pas fitimit të titullit, ka shkaktuar polemika të mëdha, me akuza nga opinioni publik për mungesë respekti ndaj garës.
Të shtunën mbrëma, presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, kritikoi ashpër mediat, duke i akuzuar për fryrje të tepërt të kësaj çështjeje: “Kjo është tipike për gjendjen e mediave tona, bëjnë zhurmë të madhe për një gjë qesharake si ky udhëtim i vogël. Nuk flitet më për futboll, por për çdo pordhë djathtas e majtas”.
Pas këtyre fjalëve, skuadra e Kompany foli në fushë. Pavarësisht kritikave, fitorja bindëse 4-0 në transfertë ndaj Hoffenheim, në javën e fundit të Bundesligës, tregoi profesionalizmin e skuadrës bavareze dhe dëshmoi se lojtarët nuk e kanë ulur ritmin, edhe pas sigurimit të titullit kampion.